Më shumë se gjysma e bizneseve që janë kontrolluar gjatë muajit Nëntor nga ana e strukturave të hetimit tatimor janë gjetur me shkelje.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se aksioni anti-informalitet do të vazhdojë edhe gjatë Dhjetorit, ku zonat të cilat do të vizitohen më shumë nga tatimorët do të jenë qendrat kryesore të qyteteve.
Në total tatimet kanë vendosur 520 mijë dollarë gjoba ndaj bizneseve në 26 ditë, ku për 2928 subjekte të kontrolluara, 1500 prej tyre kanë patur probleme me ligjin.
Mbi 100 biznese janë mbyllur pasi pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar të paregjistruar në organet tatimore si subjekte me TVSH.
Tatimet thonë se shkeljet më të mëdha vërehen te lëshimi i kuponit tatimor dhe vendosja në punë e kasës fiskale, ndërsa 300 biznese janë gjetur me mall pa dokumentacion.
Administrata e njoftoi aksionin e ri dy javë më parë. Në bazë të konstatimeve të tyre, bizneset kishin filluar sërish shmangien e taksave, çka detyroi organizimin e një aksioni të ri.
Tv Klan