Veliaj mbjell pemë me ish-ambasadorin e SHBA, Arvizu: Ndryshimi i Tiranës, i jashtëzakonshëm

2018-12-01 0

Katër vite pas largimit nga Shqipëria, ish-Ambasadori i SHBA, Alexander A. Arvizu u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e nderoi atë me ?Kullën e Sahatit?, si një figurë që ka dhënë kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas, Veliaj dhe Arvizu mbollën edhe një pemë në shenjë të miqësisë mes dy vendeve në lulishten pranë Bibliotekës Kombëtare. Ish-ambasadori Arvizu e cilësoi të jashtëzakonshëm transformimin që ka pësuar Tirana vitet e fundit, ndërsa theksoi se është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre. ?Është shumë e jashtëzakonshme. Është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre dhe kjo mund të inspirojë për të tjera gjëra. Unë e njoh Kryebashkiakun, por më e rëndësishmja, e di që Kryebashkiaku po punon edhe në gjëra të tjera, ndoshta jo kaq të dukshme, por që gjithashtu do të përmirësojnë jetën e njerëzve. Ndaj është e rëndësishme të bëhen të dyja, nuk mund të kesh njërën, pa pasur tjetrën?, tha Arvizu.

Duke u shprehur i kënaqur që rikthehet sërish në Shqipëri, ish-ambasadori vlerësoi edhe rolin e kryebashkiakut Veliaj dhe lidhjet e tij të forta me SHBA. ?Jam i lumtur të jem sërish këtu në Shqipëri. Kjo është hera ime e parë që nuk jam në një pozitë zyrtare, ndaj është një ndjesi disi e çuditshme, por jam shumë i lumtur të jem sërish këtu. Kryebashkiaku ka lidhje shumë të forta me Amerikën prej kohës së tij si student dhe unë e falenderoj që ka qenë pjesë e asaj eksperience profesionale dhe që po më lejoni mua të bëhem pjesë e përvojës suaj. Ju falenderoj për vizitën e mrekullueshme sot, e çmoj shumë këtë?, tha Arvizu.