MD: Rreth 600 te denuar te përfitojne nga amnistia

2018-11-30 1

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që rreth  600 të dënuar nga të gjitha burgjet e vendit të përfitojnë nga amnistia me rastin e festave të fundvitit. Projekt drafti është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i është dërguar për mendim Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme.

Më pas drafti do të kalojë për miratim në Parlament që pritet ta votojë. Ndërkohë mësohet se  nga amnistia do të përfitojnë  gratë  dhe të moshuarit e dënuar, por edhe të miturit. Burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë me dije se, nga amnistia e fundvitit nuk do të përfitojnë ata që janë dënuar me burgime të përjetshme, apo të dënuarit për dhunë në familje, krime seksuale dhe korrupsion i zyrtarëve të lartë.

Në draft parashikohet gjithashtu se nuk përfitojnë, as të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve si dhe personat që kanë kryer krime ndaj njerëzimit dhe ata që kanë kryer vepra të rënda penale. Një tjetër kategori që përjashtohet janë edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë. Amnistia rikthehet pas 2 vitesh. Për herë të fundit të dënuarit kanë përfituar lirinë me duke iu falur dënimin për pjesën e mbetur në vitin 2016. Ndërsa vitin e kaluar amnistia nuk u aplikua.