Ekskluzive/ Vettingu, SHISH-DSIK-SHÇBA informacion të gabuar për tre gjyqtarë

2018-11-30 0

Grupi i punës pranë Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, i përbërë nga përfaqësues të vetë DSIK, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë paraqitur pranë Komisionit të Vetingut raporte të gabuara për pastërtinë e figurës për tre gjyqtarë. Kështu pretendon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vettingut, në disa vendime për prokurorët dhe gjyqtarët. SHISH, SHKÇBA dhe DSIK kanë bërë raporte të gabuara për të paktën tre gjyqtarë, raporte të cilat janë hedhur poshtë nga KPK.

Të tre gjyqtarët, të cilët sipas grupit të punës kishin lidhje me krimin si dhe ishin përfshirë në afera korruptive, janë konfirmuar në detyrë nga komisioni bazë i Vetingut. ?Nëse Grupi i Punës nuk do të bëjë një verifikim të plotë, atëherë ai rrezikon të nxjerrë përfundime të gabuara dhe të rëndojë pozitën e subjekteve të rivlerësimit. Në këtë rast, Grupi i Punës nuk ka kryer verifikime të mëtejshme, duke arritur në konkluzion vetëm mbi bazën e informacionit të paverifikuar?, thotë KPK.