Report TV - Vijon puna për projektin e Unazës së Madhe, shemben disa ndërtime të tjera pa leje

2018-11-30 1

Projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe ka filluar të marrë jetë. Falë edhe bashkëpunimit të familjeve që kanë vendosur të zhvendosen në banesat sociale, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar për të katërtën ditë radhazi prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave që do mundësojnë ndërtimin e Unazës.

Aksioni u përqendrua në afërsi të rrethrrotullimit të Doganës, ku janë prishur disa objekte të tjera pa leje që shërbenin për aktivitete social-ekonomike. Gjithashtu makineritë e IMT-së kanë shembur edhe disa mure rrethuese të cilat gjithashtu përfshihen në gjurmën ku kalon projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe.

Pas takimit që zhvilluan me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, banorët e Astirit kanë nisur të bashkëpunojnë me IMT-në dhe ndërmarrjet e bashkisë për të lejuar zbatimin e këtij projekti. Një prej tyre ishte edhe Ukë Çelkolaj nga Tropoja, i cili mbajti fjalën e dhënë në atë takim dhe pranoi që dy objektet i tija të ndërtuara pa leje në gjurmën e Unazës së Madhe të prishen nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë Tiranë, duke i hapur rrugë tashmë vijimit të punës për realizimin e këtij projekti.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës është e vendosur që t?i japë qytetit një rrugë sipas të gjitha standardeve të kërkuara, çka jo vetëm do të sjellë një sistemim të të gjithë segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te sheshi ?Shqiponja, por edhe t'i japë zgjidhje trafikut në një nga zonat më problematike për qarkullimin e automjeteve.