PD: Projekti i Unazes se Madhe i paligjshem

2018-11-29 3

Demokratët kanë vijuar akuzat në adresë të qeverisë për projektin e Unazës së Madhe. Opozita thotë se ky projekt është i paligjshëm, korruptiv dhe në shkelje të plotë të VKM nr.628 të vitit 2015, që sipas saj përcakton rregullat për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve.

"Projekti 40 milionë euro është tenderuar pa studim fizibililiteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje dhe përfitimi, pa vlerësim shpronësimësh. Procedurat janë kapërcyer qëllimisht për të fryrë faturën e ndërtimit dhe për të shmangur shpronësimet", deklaroi Gazment Bardhi.

Opozita pretendon se projekti i Unazës së Madhe është edhe në shkelje të ligjit të sponsorizimeve. Por në një reagim, Autoriteti Rrugor i cilëson spekulim politik deklaratat e Partisë Demokratike.

Autoriteti sqaron se në rastin e rehabilitimit të Unazës së Madhe në segmentin Pallati me Shigjeta - Sheshi Shqiponja, është ndjekur e njëjta praktikë ligjore që ka ndjekur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për segmentet e tjera të unazës në kohën kur Basha ishte ministër i Punëve Publike e Transportit apo Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Sipas këtij institucioni, edhe studimet e fizibilitetit për veprat publike nuk bëhen për çdo segment që zbatohet, por ato kryehen në fillim për të gjithë objektin.

Tv Klan

Free Traffic Exchange