Akuzat e opozitës për Unazën e Madhe, flet kreu i ARRSH, Qendro: Projekti, i ligjshëm

2018-11-27 1

Pas akuzave të opozitës për projektin e Unazës së Madhe, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka dalë në një tjetër deklaratë për mediat, ku ka sqaruar dhe ka dhënë detaje për këtë projekt. Qendro iu ka bërë thirrje banorëve që të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për të bërë shpronësimin, si dhe ka thënë se projekti i Unazës së Madhe është i ligjshëm.

Pjesë nga fjala e Afrim Qendros:

U bëj thirrje banorëve të dorëzojnë të gjithë dokumentet që të nxjerrim VKM për të bërë të mundur shpronësimin. Ata që janë me legalizim, të bashkëpunojnë me ALUIZNI-n dhe me Bashkinë e Tiranës. Meqë kemi pasur disa akuza nga eksponentë të opozitës dhe jo vetëm, dua të shpjegoj disa gjëra. Dua të shpjegoj se projekti i segmentit të Unazës i ka ndjekur të gjitha hapat ligjor të duhur. Kemi një kërkesë zyrtare nga bashkia, nga ana tjetër miratimin e fondit nga Ministria e Transportit, më pas urdhrin e drejtorit të ARRSH dhe më pas Këshillin Teknik. Ne i jemi drejtuar 3 kompanive për bashkëpunim. Për bashkëpunim janë ndjekur të gjitha kontratat, pagesat që ka bërë kompania, taksat dhe tatimet që e detyron ligji. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, kemi miratuar projekt-idenë dhe e kemi çuar në Institutin e Ndërtimeve. Të gjitha fazat ligjore i kemi bërë më së miri. Ky projekt është komfort standardeve. Segmenti ka marrë lejen nga Këshilli Kombëtar Arkeologjik, vendimin për ndikimin në mjedis në datë 12/11/2018. Po ashtu kemi marrë vendimin nga Këshilli i Restaurimit dhe vendimin për miratimin e lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Partia Demokratike ka akuzuar prej dy javësh qeverinë, bashkinë e Tiranës dhe ARRSH se projekti për Unazën e Madhe të Tiranës është korruptiv dhe se njëra nga kompanitë fituese është kompani guackë. Nga ana tjetër, banorët që kanë shtëpitë e tyre të palegalizuara protestojnë prej 24 ditësh dhe refuzojnë të largohen nga banesat e tyre. Ata kërkojnë dëmshpërblim, ndërkohë që bashkia e Tiranës iu ka ofruar një bonus qiraje me afat 3-vjecar. Ndërkohë që IKMT ka nisur që prej mbrëmjen së djeshme prishjen e banesave dhe heqjen e disa shtyllave, banorët protestuan sërish sot duke bllokuar rrugën tek Unaza e Re.

Free Traffic Exchange