Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se nuk do të jepet më asnjë leje ndërtimi për fshatra turistikë që kthehen në lagje banimi.
Gjatë një takimi me investitorë, shefi i qeverisë tha se vendi ka nevoja të domosdoshme për hoteleri.
Rama: Trashëguam një qasje të shkurtër dhe kërcënuese për të ardhmen e zhvillimit të turizmit, fshatrat e turizmit të ndërtuar në vijën bregdetare dhe faktikisht të kthyer në lagje verore për banorë dhe jo asete të zvillimit të turizmit. Fshatra turistikë që pa as më të voglin diskutim në 30 vitet e ardhshme do të kthehen në lagje për më të varfrit në rast se nuk do të transformohen në vijimësinë e këtyre viteve dhe në rast se nuk do të marrin një tjetër fizionomi dhe përmbajtje.
Ne kemi vendosur ti ndalojmë, nuk kemi për të dhënë më leje për fshatra turistike që kthehen në lagje banimi, që janë zona banimi për ata që sot kanë mundësi të blejnë dhe një vilë në bregdet dhe pastaj ta mbajnë mbyllur. Hoteleria është domosdoshmëria që ne kemi. Fjala fshat turistik do të fshihet nga fjalori. Resortet patjetër që do të jenë mikse, do ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale. Por lejet e zhvillimit do zbardhen në dy faza; do bësh njëherë hotelin dhe pastaj do marrësh lejen të bësh vila.
Si rast specifik për mëhalla Rama iu referua Golemit. Por, shtoi ai, një tendencë e tillë është shfaqur furishëm dhe bregdetin e jugut.
Rama: Në mëhallat që kemi ndërtuar në gjithë këto vite përgjatë bregdetit, tipike janë ato mëhallat e Golemit. Është shfaqur tendenca për ta bërë Golem dhe bregdetin Jon dhe bregdetin sipër.
Rama tha se qeveria është e vendosur të ndalojë mëhalla të tilla që janë kthyer në geto të kamurish.
Rama: Këtë tendencë ne jemi të vendosur ta ndalojmë me çdo kusht.Këto mëhallat nuk sjellin asnjë rreze zhvillimi përtej vetëvetes. Jo vetëm që në vetëvete nuk janë zhvillim turistik, nuk është turizëm ai, është thjesht ndërtim lagjesh për ata që kanë lekë më shumë dhe marrin makinën dhe shkojnë të shtunë dhe të dielë.
Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/rama-fshatrat-turistik-do-fshihen-nga-fjalori-po-kthehet-dhe-jugu-si-golemi-ne-geto-te-kamurish