Pas protestës së dhunshme të zhvilluar para parlamentit pak ditë më parë ku si pasojë e një kapsolle të hedhur drejt forcave të policisë humbi gishtat efektivja Ina Nuka, Ministria e Brendshme përmes një deklarate për shtyp u ka bërë thirrje subjekteve tregtare të ndërpresin shitjen e tyre.
Romina Kuko:Nga eksperimentet e kryera me mjetet shpërthyese, të sekuestruara gjatë protestës, janë regjistruar rezultate shokuese. Provat eksperimentale kanë vërtetuar se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet.
Gjatë protestës së banorëve të Astrit përballë parlamentit, efektiva e policisë Ina Nuka në tentative për të larguar një kapsollë që u hodh në drejtim të saj humbi gishtat e njërës dorë.
Për plagosjen e efektives mbahet në burg 18-vjeçari,Daniel Dobraj që akuzohet se hodhi kaposllën në drejtim të uniformave blu.
Po kështu zv.ministrja u bëri thirrje të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, në të kundërt do të ndëshkohen sipas ligjit.
Në të njëjtën kohë Kuko iu bëri thirrje edhe partive politike që gjatë tubimeve të shmangin përdorimin e kapsollave. Në fund të deklaratës, Kuko bëri me dije se në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme.