Premiera botërore e simfonisë nr.5 ?Skënderbeu? e kompozuar nga Aleksandër Peçi u ngjit në skenën e Universitetit të Arteve nga orkestra e RTSH nën dirigjimin e Eno Koços dhe interpretimin e sopranos Gesu Zefi.
Simfonia nr.5 ?Skënderbeu? është përzgjedhur, si vepër fituese nga konkursi i realizuar nga RTSH për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Kjo vepër e rëndësishme e muzikës klasike shqiptare, në fushën e kompozicionit, erdhi në skenë në dhjetë kohë.
Prantagoria, kalërimi, liria, liturgjikal, martesa, besëlidhja, Himn Monumental janë vetëm disa nga dhjetë kohët, që kompozitori i njohur shqiptar Alekandër Peçi ka krijuar për të evidentuar këtë ngjarje të rëndësishme historike të vendit tonë.
Kalërimi i instrumenteve, bën që të dialogojnë me njëri-tjetrin plot ritëm, ndërsa vringëllimat e shpatave në perkusion, të mbështeten tek fuqia luftarake e trompave. Martesa, sipas kompozitorit Peçi, përcjell adrenalinën e një dasme shqiptare me krushq kalorës, që shalojnë mbi një ritmikë të pikëzuar. Ndërsa, besëlidhja vjen në simbolikë të 7 princave përfaqësues të 7 Principatave.