Policja Ina Nuka e cila mbeti e plagosur rëndë gjatë protestës së dhunshme përpara Parlamentit, për Kryeministrin Rama mund të ishte dëshmorja e parë femër. Deklaratave që vijnë nga selia blu se 24-vjeçarja ishte e patrajnuar, Rama zgjodhi t?i japë përgjigje gjatë një takimi ku u prezantua shtimi me 134 automjete të reja flotës së Policisë së Shtetit, ku nuk i kurseu akuzat ndaj opozitës.
"Humbi gishtat se nuk ishte e trajnuar u tha nga ata që janë shkaktarë të nxitjes së dhunës, për përdorimin e lëndëve plasëse, që Kodi Penal e dënon si krim të rëndë. Ajo vajzë dhe shumë të rinj të tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Sot do të kishim një tjetër dëshmore dhe mesa di, të parën dëshmore të Policisë së Shtetit".
I vendosur për të luftuar krimin me çdo çmim, Kryeministri tha se qeveria ka gati një projektligj që do të mundësojë ngritjen e një strukture të posaçme.
"Do çojmë projektin e ri për krijimin e nje force për reagimin parandalues që do merret me bezdisësit e komuniteteve që kanë profile kriminale".
Në funksion të reformave të nisura për një kontroll sa më të plotë në fushën e sigurisë, Rama paralajmëroi edhe nisjen e një debati për ngritjen sa më parë të xhandarmërisë.
"Duhet të çojme përpara vendimin për xhandarmërinë, për t'u futur në një proces historik, në një epokë kontrolli të plotë në fushën e sigurisë efektivë nga policia ushtarake. Kjo temë meriton debat shterues pa humbur kohë".
Teksa garantoi mbështetje të plotë për Policinë e Shtetit, kreu i qeverisë kërkoi nga uniformat blu finalizimin sa më parë të reformës së shërbimit lidhur me gjobat për drejtuesit e automjeteve.