Mbrojtja që Kryeministri Rama po i bën projektit të Unazës së Madhe dhe vendosmëria e qeverisë për të prishur objektet që preken nga zgjerimi i saj, sipas Lulzim Bashës është e lidhur ngushtë me interesa private dhe klienteliste të kreut të qeverisë.
Duke folur në krah të banorëve të Astirit, të cilët vijuan edhe pasditen e së premtes protestën kundër prishjes së banesave të tyre, kreu i demokratëve akuzoi Kryeministrin se qëndron pas asaj që e cilëson megavjedhje për Guinness.
Më herët në një tjetër dalje, Lulzim Basha tha se leja e ndërtimit është abuzive dhe se banorët i mbron Kushtetuta. Kreu i PD ngriti tonet edhe ndaj ndërkombëtarëve, që sipas tij po heshtin përballë aferës së Unazës së Madhe, të negociuar direkt nga Kryeministri Rama.
Në të dyja daljet, kreu i opozitës i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me kauzën e banorëve të ?Astirit?, e të mos presin që padrejtësia e qeverisë të trokasë në derën e tyre.
Tv Klan