Numri i personave që u arrestuan për shkak se protestuan në mënyrë të dhunshme përballë parlamentit paraditen e së enjtes, pritet të rritet. Veç 11 të prangosurve, policia ka identifikuar persona të tjerë që sulmuan me kapsolla e sende të rënda uniformat blu, të angazhuar me ruajtjen e sigurisë. Mes tyre ndodhet edhe personi që hodhi kapsollën në drejtim të efektives Ina Nuka, që mbeti e plagosur rëndë.
Të gjithë të implikuarit pritet të shoqërohen në polici dhe të përballen me akuza penale të ndryshme, veçanërisht ata për të cilët do të ketë prova se plagosën 15 punonjësit e policisë. Në Spitalin e Traumës po marrin ende mjekim tre efektivë.
Policja 24-vjeçare Ina Nuka ka pësuar dëmtimet më të rënda. Ajo ka humbur tërësisht njërin gisht dhe rrezikon edhe dy të tjerë. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes, 24-vjeçarja pritet të udhëtojë drejt Stambollit, ku mjekët do të kryejnë një ndërhyrje të specializuar, në përpjekje për të rikuperuar gishtat e dëmtuar. Ajo u plagos teksa hoqi nga qafa një kapsollë që iu hodh nga turma e protestuesve.
Gjatë protestës të së enjtes mbeten të plagosur edhe 3 protestues. Pas përfundim të protestës, ekspertët kriminalistë shkuan në vendngjarje dhe konstatuan se kapsollat që u hodhën drejt punonjësve të policisë kishin në përbërje sasi të lartë baruti.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal ndaj 11 protestuesve për 5 vepra penale, ?Plagosja e rëndë me dashje?, ?Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit?, "Kundërshtimi i punonjësit të policisë??, ?Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme dhe prishje e qetësisë publike?.
Ndërsa shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pritet të verifikojë edhe veprimet e punonjësve të policisë.