Banka e Shqiperise pa Keshill Mbikeqyres

2018-11-22 0

Banka e Shqipërisë po përjeton një situatë të paprecedentë në historikun e saj. Aktualisht ky institucion është gjysmë i paralizuar, pasi Këshilli Mbikëqyrës i saj, i cili është organi më i lartë vendimmarrës nuk funksion.

6 anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore, Elisabeta Gjonit, Ela Golemit, Dhori Kules, Petraq Milos, Arben Malajt dhe Denada Priftit iu ka përfunduar mandati duke e bërë të pamundur thirrjen e një mbledhjeje. Që një takim i Këshillit të funksionojë, duhet minimalisht që të jenë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve, minimalisht 5 prej tyre.

Ditën e mërkurë Këshilli Mbikëqyrës dështoi që të arrinte të merrte një vendimmarrje dhe siç sqaron edhe në një njoftim Banka e Shqipërisë, tre anëtarët e mbetur të përbërë nga Guvernatori Gent Sejko, dhe dy anëtarët e tjerë Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, kanë zhvilluar një takim informues për zhvillimet në tregun bankar, atë të kursit të këmbimit dhe politikës monetare.

Tashmë i takon Kuvendit dhe qeverisë që të plotësojë vendet vakante të këshillit të bankës. Parlamenti ka bërë publikimin e kandidaturave, ndërsa Këshilli i Ministrave nuk i ka shpallur ende.

Bllokimi i mbledhjeve të bordit bën të pamundur edhe vendimmarrjen e bankës për operacionet e kursit të këmbimit.

Tv Klan