Ndalohet furgoni në Qafë Thanë, dyshohet se transportonte drogë drejt Greqisë

2018-11-21 3

Një superoperacion i policisë ka goditur një rast trafiku lëndësh narkotike, duke bllokuar në Qafë Thanë një fugon të mbushur me kanabis, pesha e të cilës është ende e pakonfirmuar nga policia.

Report TV ka arritur të sigurojë pamje ekskluzive të këtij operacioni, ku dhjetra forca policie bëjnë të mundur bllokimin e furgonit dhe ndalimin e 4 personave që ndodheshin në të. Ndërhyrja e policisë u bë në Qafë-Thanë në momentin e pushimit të trafikantëve, pas dyshimeve se ata mund të kishin pikasur operacionin dhe mund të tentonin të largoheshin për t?i shpëtuar policisë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, lënda narkotike do të transportohej fillimisht në Maqedoni nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Thanës dhe kishte destinacion final Greqinë.

Furgoni me targë AA 356 NA, ku u gjet hashashi, është në pronësi të një firme fasonerie në Fier. Sipas ekstraktit të QKR, biznesi është regjistruar nën emrin SILDA dhe në pronësi të biznesmenit Ilir Dauti.

Firma SILDA është një kompani që merret me prodhimin e kepuceve si dhe tregtimin dhe eksportimin e tyre jashtë vendit. Nuk dihet nëse kjo ishte tentativa e parë e trafikut të drogës, por dyshohet që trafiku ishte kamufluar pas biznesit të Dautit, i cili veç prodhimit të këpucëve garantonte edhe transportin.