Në videon e publikuar nga "Pa Gjurmë" vihet re që Renato është i shoqëruar nga një femër në ambientet e një diskoje verore në një prej plazheve të Durrësit. Dëshmitarja thotë se ka pyetur pronarin dhe kamarierin e lokalit nëse është ky "Reni i Elbasanit" i zhdukur, por përgjigja që ka marrë ka qenë kërcënuese: "Po ai është, por mos trego, ndryshe je i fikur".Ajo rrëfen gjithashtu se ka biseduar më Renaton i cili ka pranuar se është ai personi i deklaruar i zhdukur, por ka hezituar të japë përgjigje se pse nuk kthehet në familje atje ku la bashkëshorten dhe vajzën e tij, tashmë 4 vjeçe.
Dëshmitarja për stafin e "Pa Gjurmë": Është ky (tregon videon). Më ka shërbyer kafen. Dhe i kam thënë ti je Renato? A e di që të kërkon familja? Por më është përgjigjur: Ata e dinë shumë mirë pse nuk shkoj unë në familje.
Stafi i "Pa Gjurmë" ka shkuar në Durrës në lokalin ku dyshohet se është parë Renato. Por lokali ishte i mbyllur. E pranishme në emisionin "Pa Gjurmë", nëna e Renit u shpreh se në profil personi në video ngjason me djalin e saj. Apeli i saj ishte që i biri të kontaktojë me familjen e tij dhe t'u thotë të paktën se është gjallë.
Renato rezulton i humbur që prej 29 qershorit të vitit 2014. Pasi realizoi një klip me këngëtarin Shpat Kasapi, i riu është zhdukur pa lënë gjurmë.