Report Tv-Banorët e 'Astirit' përplasen me njëri-tjetrin gjatë protestës

2018-11-20 0

TIRANE - Për të 17-ën ditë me radhë, banorët e "Unazës së Re" kanë nisur protestën për të kundërshtuar projektin për zgjerimin e "Unazës së Madhe", i cili prek edhe banesat e tyre, një pjesë e mirë e të cilave janë pa leje. Por protesta e ditës së sotme ka nisur përplasje mes vetë banorëve. Nuk kanë munguar as përplasjet fizike mes njëri-tjetrit. Protestuesit kanë akuzuar disa nga banorët se kanë tradhtuar kauzën e tyre, duke u paraqitur në ARRSH për ndjekjen e procedurave të kompensimit për objektet që preken nga zgjerimi i "Unazës së Madhe".

Megjithatë, situata është normalizuar brenda pak minutash dhe banorët kanë vijuar protestën. Siç kanë bërë çdo ditë, edhe pasditen e sotme protestuesit kanë bllokuar rrugën duke shkaktuar kaos në trafik, ndërsa kanë hedhur edhe kapsolla. Në mbështetje të protestuesve janë sërish deputetë të PD. Gjithashtu, mes protestuesve ndodhen edhe përfaqësues të të ashtuquajturës "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit", aktorë dhe aktivistë të Shoqërisë Civile.

Banorët e "Astirit", banesat e të cilëve preken nga zgjerimi i "Unazës së Madhe", janë ndarë në dy pjesë. Disa prej tyre dalin çdo ditë në protestë, duke bllokuar rrugën e duke shkaktuar kaos në trafik, ndërsa pjesa tjetër i janë drejtuar institucioneve për të nisur procedurat e shpronësimit.

Report Tv ka siguruar edhe fotot e momentit të takimit të banorëve me kreun e ARRSH, Afrim Qendro. Mësohet se pranë zyrave të ARRSH janë paraqitur 36 persona për të kërkuar dëmshpërblim për objektet e tyre që preken nga zgjerimi i "Unazës së Madhe".

Një ditë më parë banorët u përleshën me policinë, ndërsa sulmuan edhe kantierin e firmës private që do ndërtojë "Unazën e Madhe", duke tentuar dëmtimin e automjeteve. Në ndihmë të uniformave blu shkuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët normalizuan situatën.