14 të dënuar në Burrel janë futur prej dy ditësh në grevë urie, duke refuzuar ushqimin për shkak të kushteve të papërshtatshme me të cilat po trajtohen. Disa nga të dënuarit, mes tyre dhe Ilir Kupa i njohur si ?kryebabagjyshi? i grabitjeve të argjendarive, është ankuar se keqtrajtohen, pinë ujë të ndotur, se nuk kanë asnjë kusht ngrohjeje dhe se për t?u transferuar në një burg më të mirë u kërkohen para nga 2 deri në 3 mijë euro.
Të dënuarit janë shprehur për Report TV se e kanë refuzuar ushqimin që nga dita e djeshme, por sipas tyre, stafi nuk e quan të ligjshme grevën.
?Ushtrojnë presion psikologjik, na mohojnë të drejtat, janë staf kriminelësh. Jemi 14 vetë që kemi nisur grevën e urisë", u shpreh njëri prej të dënuarve, duke përmendur më tej edhe emrin e një punonjësi të burgut. ?Punonjësi Sokol Bruçi, nuk na njeh të drejtat, nuk merr kërkesën tonë për grevë. Nuk ka kushte higjenike, dritaret janë të vogla, ka mbipopullim, lagështi, të sëmurë me antibiotik, tualetet janë të përbashkëta pa higjenë. Burg është i pabanueshëm?.
Report Tv kontaktoi ditën e djeshme me drejtorin e burgut, Fatjon Kurti,për të konfirmuar situatën aktuale në burgun e Burrelit. Ai u shpreh për gazetarin Arsen Rusto se është në negociata me të dënuarit, pasi në burg po punohet për rikonstruksion. Kurti shtoi se nëse të burgosurit duan të futen në grevë, duhet të firmosin sipas ligjit.