Brenda dy javëve demokratët do të duhet të përmbyllin zgjedhjet për kryetarët në rrethe. Kërkesa që Lulzim Basha ka adresuar ndaj deputetëve të tij në mbledhjen e paradites së të martës të kryesisë dhe atë të grupit, i paraprin mbledhjes së Kuvendit Kombëtar që do të mbahet në 15 Dhjetor, në përmbyllje të procesit të organizimit në selinë blu.
Kuvendi Kombëtar, mandati i të cilit ka përfunduar në muajin Shtator do të jetë zgjedhor dhe nga ky forum do të dalë Këshilli i ri Kombëtar.
Ekipi i ri i Lulzim Bashës duke nisur nga kryesia e re e Partisë Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm, dy Nënkryetarët dhe Sekretariati, mandati i të cilëve mbaron në 30 Nëntor do të zgjidhen nga vota e anëtarëve të Këshillit të ri Kombëtar. Pas përmbylljes së zgjedhjeve në parti, opozita pritet të ndezë edhe motorët për betejën elektorale të 30 Qershorit.
Por ndonëse jashtë Kuvendit në një bojkot disa mujor, Lulzim Basha ka paralajmëruar deputetët e tij nga mbledhja e grupit me dyer të mbyllura se beteja e opozitës do të vijojë veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me situatën ekonomike që po kalon vendi.
Ndaj paralelisht me seancën e së enjtes, ku maxhoranca pritet të votojë buxhetin, opozita ka thirrur në një bashkëbisedim përfaqësues të biznesit.
Në mbledhjen e grupit me dyer të mbyllura, Basha ka konfirmuar gjithashtu mbështetjen për protestën e banorëve të Astirit, të cilët preken nga shembjet e shtëpive të tyre për shkak të zgjerimit të Unazës së Madhe.
Tv Klan