Berisha te '5 pyetjet nga Babaramo': Opozita ka dokumente për lidhje të ministrave të Ramës

2018-11-19 0

Ish-kryeministri Sali Berisha pretendon se opozita ka dokumente që provojnë lidhjen e disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar me segmente të krimit të organizuar. I ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, Berisha tha se strategjia që po ndjek opozita është të demaskojë qeverinë, ndërsa nuk dha shpjegime se kur do bëhen publike faktet që disponon opozita. Është dosja ''339'' ajo e cila sipas Berishës zbërthen lidhjet e ministrave dhe figurave të rëndësishme në PS, përfshirë edhe kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako apo dhe kreun e OSHEE, Ardian Çela për lidhje me Avdylajt e Shijakut. Sipas ish-kryeministrit, kjo dosje ka të dhëna edhe për komunikimet e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati me të arrestuarin Safet Rustemi (Bajri).

Pjesë nga intervista

Ka gjasa të përsëritet skenari maqedonas, ku opozita lëshonte bombat e Zaevit?
Opozita ka fakte dhe argumente. Rritja e besueshmërisë së opozitës, ka bërë që ajo të disponojë një arkiv të pasur të organizatës kriminale të Rilindjes. Lidhje të ministrave të Ramës me krimin, lidhje me botën e trafikut të Olsi Ramës. Vëllai i Ramës, ka të dhëna objektive, që të paktën 6 herë ka kaluar kufirin me makinën e drogës së grupit Xibraka.