Reshjet e borës, akset kombetare deri tani jane te kalueshme

2018-11-18 0

Kjo është situata në pikën doganore të Kapshticës mbrëmjen e së dielës. Pala greke ka ndaluar kalimin  e kamionëve dhe autobusëve, ndërsa mjetet e vogla lejohen të qarkullojnë në këtë aks vetëm duke përdorur zinxhirë. Moti i ftohte dhe reshjet e dëborës kanë mbuluar prej 2 ditësh verilindjen e vendit.

Qarku i Korçës dhe Elbasanit janë dy zonat më të prekura, ku në zona të veçanta trashësia e dëborës ka arritur mbi 40 centimetra. Kjo ishte pamja e Dardhës ku shumë automjete u bllokuan në fshatin turistik për shkak të trashësisë së borës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit në akset Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Kapshticë.

Probleme gjatë fundjavës ka pasur edhe në qarkun e Elbasanit, ku trashësia e saj ka arritur deri 30 centimetra.

Kompanitë e mirëmbajtjes po punojnë me kriposjen dhe mbajtjen e rrugëve hapur dhe aktualisht nuk ka asnjë aks të bllokuar, por qarkullimi duhet bërë me zinxhir.

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme edhe në zonat e thella të Gramshit. Në disa zona ka pasur probleme me energjinë elektrike.

Tv Klan