Djegia e mbeturinave/ 'Tymi' pushton Fushë-Krujën, asnjë masë nga organet shtetërore

2018-11-18 0

Ndotja në Rrethin e Krujës vijon të jetë një problem shqetësues për banorët. Jo vetëm guroret dhe furrat e gëlqeres që janë ndotës kostantë, por edhe djegia e mbetjeve urbane prej më shumë se 6 muajsh, vazhdon natë-ditë duke hedhur në atmosferë tymëra, blozë dhe gazra helmues që përfundojnë në organizmat e gjalla.

Kohët e fundit, vihet re një shtim i numrit të personave të prekur nga sëmundjet në këtë zonë, ndërsa banorët shprehen se sëmundjet kancerogjene si pasojë e ndotjes u kanë marrë jetën disa personave.

Plehrat që digjen në fshatin Halil, nuk grumbullohen vetëm nga nga Fushë Kruja dhe Kruja, pasi kohët e fundit shumë kamion me mbetje të Kamzës hidhen në këtë pikë grumbullimi.

Edhe pse situata paraqitet tepër alarmante, pasi mbetjet vazhdojnë të digjen gjatë gjithë kohës askush nga organet kompetente nuk merr masa, si për shuarjen e flakëve, ashtu edhe për përcaktimin e një vendgrumbullimi larg zonave të banuara.