TIRANË- Banorët e zonës së Astirit kanë rinisur sot protestën kundër ndërtimit të projektit të Unazës së Madhe që prek shtëpitë e tyre. Report Tv ka mësuar se banorët po protestojnë duke bllokuar rrugën dhe duke rënduar qarkullimin e mjeteve. Protestuesit mbajnë në duar pankarta me mbishkrimin: 'Jemi qytetarë, nuk jemi shpellarë', apo edhe 'Shtëpia mbrohet me jetë'
Ata kanë hedhur kapsolla, ndërkohë që në mbështetje të tyre ndodhen sërish deputetët demokratë, Klevis Balliu e Flamur Noka. Ditën e djeshme, banorët paralajmëruan se në rast se nuk do të kishte një përgjigjie, protesta e tyre do të zhvillohej pa afat. Banorët e Astirit kanë hyrë sot në ditën e 15-të të protestës së tyre. Më datë 15 nëntor, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov, tymuese dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e "Unazës së Re" po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga e tërë Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e "Unazës së Madhe" një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore. Bashkia Tiranë, nga ana tjetër, sqaron se banorët të cilët kanë shtëpi të palegalizuara do të mbështeten nga një bonus qiraje me afat 3-vjecar.