Gjykata e Apelit Durrës, është përfshirë në një skandal të radhës, pasi në 31 tetor 2018, nëpërmjet një vendimi penal, ku gjyqtarët janë ndarë 2 pro dhe një kundër, ka projektuar lirimin e Viktor Ymerit (Tori) nga Vlora.
Gjykata e Apelit ka vendosur t?i rrëzojë Viktor Ymerit dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në 23 qershor 2017 nga gjykata e shkallës së parë e Durrësit, dhe ta dënojë atë përfundimisht me 25 vite burgim. Mirëpo koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi, sipas gjykatës së Apelit, Viktor Ymerit, i fillon në 29 qershor 1999, dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 viteve burgim thuajse se është kryer.
Një burim pranë gjykatës së Apelit Durrës i tha ?Shqiptarja.com? se Ymerit nuk i ka mbetur më shume se 8 muaj apo 1 vit qëndrimi në qeli. Ky skandal është referuar deri në zyrën e Prokurores së përkohshme të Përgjithshme Arta Marku, Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit problematikë në Vlorë, dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizaj, i ekzekutuar para disa ditësh në Durrës. Në të njëjtën kohë Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim përjetë, pasi së bashku në qershor të vitit 1999, kanë ekzekutuar me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.