Kryeministri Zoran Zaev ka pranuar se i përket Parlamentit që në kuadrin e kompetencave të ofrojë zgjidhjen e pranueshme për idenë e tij për falje e pajtim, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e një amnistie për personat e implikuar në ngjarjet e 27 Prillit të vitit të kaluar, me përjashtim të aktorëve kryesorë që morën pjesë në dhunën e ushtruar. Gjithë kjo, si pjesë e asaj që Kryeministri e quan pajtim politik e që nuk nënkupton anashkalimin e shtetit të së drejtës.
Po për këtë çështje, por edhe kontekstit të megaskandalit të përgjimeve, më herët në Klan debat foli edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, me qëllim të tejkalimit të gjendjes së krijuar, po shqyrtohen praktikat në vende e kontinente të tjera.
Edhe Ali Ahmeti, edhe Zoran Zaev, kanë folur për përpjekje të vështira që rezultuan me krijimin e shumicës së dy të tretave. Kreu i integristëve madje është i mendimit se e vërteta për këtë do të dalë sheshit pas disa dekadash.
Tv Klan