A do te ulet tatimi per pagat e vogla?

2018-11-17 0

Diskutimet e paketës fiskale të vitit të ardhshëm kanë ndarë në dy anë qëndrimet brenda mazhorancës: A do të ketë reduktim të taksave për pagat e ulëta, rritje të taksimit të tyre apo modeli do të mbetet i njëjtë?

Dy nga deputetët socialistë, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe dhe Blerina Gjylameti e kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre: "Këkojmë rritje të fashës që nuk taksohet nga 30 mijë në 40 mijë".

Por disa ditë më pas, ministri i Financave Arben Ahmetaj, jo vetëm që nuk ra dakord me këtë propozim, por kërkoi vendosje të një takse 1.5% edhe për pagat që janë të përjashtuara tatimi.

Nëse realizohet shtrirja e pragut të përjashtimit të pagave nga tatimi i të ardhurave personale deri në 40 mijë Lekë siç e propozojnë deputetët, do të përfitonin ulje taksash 470 mijë të punësuar, përfshirë edhe ata me një rrogë më të lartë se 40 mijë Lekë. E nëse ndodh varianti i propozuar nga financat, do të nisin të paguajnë taksa 55% e të punësuarve që sot nuk paguajnë, kosto për ta do të ishte nga 4320 Lekë deri në 5400 Lekë të reja në vit.

Beteja për variantin e uljes së tatimit të pagave të vogla pritet të zhvillohet në seancën plenare gjatë votimit të paketës fiskale nen për nen, ku do të jetë vota e deputetëve që do të vendosë nëse duhet të ulet apo jo taksa për pagat. Vetë Kryeministri kur u pyet për këtë çështje tha se modeli i tatimit të pagave nuk do të ndryshojë në asnjë kah.

Tv Klan

Free Traffic Exchange