Banorët e "Astirit" janë konfliktuar këtë të shtunë me punonjës të Bashkisë së Tiranës, pasi këto të fundit janë përpjekur për të hequr shtylla dhe objekte të tjera në kuadër të projektit ?Unaza e Re?.
Teksa kanë debatuar me punonjësit bashkiakë, janë shënuar edhe incidente të cilat janë sheshuar me ndërhyrjen e policisë. Më pas, banorët e zonës së ?Astirit? janë nisur drejt sheshit ?Shqiponja?, ku ndodhen edhe aktualisht. Në krah të tyre janë parë edhe eksponentë të Partisë Demokratike, sikurse Klevis Balliu. Banorët e "Astirit" u shprehën nga sheshi "Shqiponja" se do të bien në dakordësi me zhvillimin e projektit vetëm në rast se do të dëmshpërblehen për shtëpitë e tyre, të cilat preken nga ky projekt. Ata thanë më tutje që askush të mos përpiqet t'i përcajë, pasi deri në momentin kur të merret vendimi për dëmshpërblimin e tyre, ata do të vijojnë të protestojnë.
Edhe ditën e djeshme banorët e "Astirit" kanë protestuar, duke bllokuar rrugën e "Unazës së Re". Në mbështetje të tyre ishte një tjetër deputet i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi. Protestat e banorëve janë përshkallëzuar pas një fjalimi që ka mbajtur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku i ka cilësuar ato si barbarë e shpellarë.
Sot ishte dita e 14 e protestës së banorëve. Më datë 15 nëntor, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov tymuesve dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e "Unazës së Re" po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga e tërë Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e "Unazës së Madhe" një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore.
Për projektin e "Unazës së Madhe" parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës,bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.
a.s.