SHKODER - Policia e Shtetit ka shoqëruar 8 persona të dyshuar për vrasjen e djeshme në Shkodër të Fatos Ferracakut dhe plagosjen e Fatmir Mehajt, ndërsa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit zbarkuan sërish në Shkodër. Burime të policisë vendore i thanë korrespondetit të Report TV, Ergys Kavaja, se 8 personat u shoqëruan dhe u liruan, pasi dhanë dëshmitë e tyre për ngjarjen e ndodhur dje në mesditë në lagjen "Rus" në Shkodër.
Mes të shoqëruarve nga policia është edhe një emër i njohur në Shkodër, Mustafa Lici anëtar i këshillit bashkiak dhe vëllai i Fatbardh Licit i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në 10 gusht në qendër të qytetit. Lici është shoqëruar sot në mëngjes për t'u marrë në pyetje lidhur me atentatin e përgjakshëm, pasi motori i djegur i autorëve u gjet në afërsi të banesës së tij në lagjen "Guerrile". Report Tv mëson se pas marrjes së dëshmisë policia e ka lënë të lirë.
Ngjarja ndodhi dje në zonën e njohur si Markata, pak metra larg vendit ku iu vu tritol të fortit të Shkodrës, Lulzim Kulla (kunat i Fatbardh Licit), më 13 janar 2018. Viktima dhe i plagosuri ishin të dy tregtarë peshku.
Report Tv mësoi një ditë më parë se në drejtim të 40-vjeçarit është qëlluar me një pistoletë 9 mm ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja. Gjithashtu mësohet se dy autorët e atentatit kanë lëvizur me një motor "TMAX" nga lagjja "Rus" ku është kryer vrasja, ndërkohë që më pas i janë drejtuar lagjes "Kiras" në afërsi të ByPass-it ku i kanë vënë flakën duke humbur edhe gjurmët. Viktima Fatos Ferracaku është kushëri i afërt me biznesmenin e vrarë me breshëri plumbash në 1 shtator, Arjan Ferracaku.
Pas kësaj ngjarje, në Shkodër mbërritën me urgjencë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Drejtori për krimet e renda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj dhe këshilltari i ministrit, së bashku me pjesëtarë të Task Forcës në Policine e Shtetit që prej mesditës së djeshme kanë qenë në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarje.r