Pas fëmijëve 0-18 vjeç, fishat e diabetit do të jenë falas edhe për studentët?.
Lajmin e mirë e dha me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila mori pjesë në një aktivitet ndërgjegjësues të zhvilluar këtë të enjte, në Tiranë ku tha se studentët do të përfitojnë fisha falas.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Manastirliu, tha se kjo fashë i shtohet fëmijëve deri në moshën 18 vjeç të cilët aktualisht i përfitojnë fishat e diabetit falas.
Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave me diabet dhe familjeve të tyre.
Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Në lidhje me masat për parandalimin e diabetit, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve periodike.
Rezultatet e deritanishme të Kontrollit mjekësor bazë tregojnë se 9.3% e personave 35-70 vjeç që kanë kryer check-up janë me nivel glicemie mbi normën, një shifër shumë e lartë që tregon për rëndësinë që ka kontrolli periodik, për të parandaluar pasojat e diabetit.
Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Duke u ndalur te trajtimi i diabetit, Manastirliu theksoi se Qeveria ka garantuar trajtimin 72 mijë personave me diabet, me një financim prej mbi 16 milion dollarë në vit vetëm për rimbursimin e barnave për diabetikët. Personat me diabet përfitojnë falas 36 lloje barna që përbëjnë terapinë e plotë për këtë sëmundje.