Report Tv-Gjyqtarja e Apelit i jep pafajësi ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika

2018-11-14 7

Një ditë pasi do dilte para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, kryetarja e Gjykatës së Apelit në Vlorë, Alma Liçaj, ndoshta ka gjykuar një nga çështjen e fundit të karrierës së saj në gjyqësor, atë të ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe tre personave të tjerë. Çështja e Gjikës, është nxjerrë me urgjencë në listën e çështjeve që duhet të gjykoheshin dhe me sa duket për këtë dyshohet se është kujdesur kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj dhe administrata gjyqësore që është nën urdhërat e saj.

?Shqiptarja.com? mëson se një ditë (Të hënën) para se Liçaj të udhëtonte në drejtim të Tiranës, ku do përballej me raportin e anëtarëve të KPK (Vetting), kjo gjyqtare ka zgjedhur të gjykojë çështjen penale me të pandehur ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe të pandehurit e tjerë Artur Haxhi, Doriana Sulaj dhe Ridvan Mersinaj. Gjika në këtë proces penal akuzohej nga prokuroria e Vlorës për katër akuza dhe më konkretisht ?Shpërdorim detyre?, ?Fallsifikim dokumentash?, ?Fshehje të provave të krimit? dhe ?Ndërtim të paligjshëm?.

Për këto katër akuza, prokuroria e Vlorës dhe më konkretisht prokurori Albert Kuliçaj, ka kërkuar në pretencën e tij të dhënë në shkallën e parë, 8 vite burg për Gjikën, por këto akuza kanë rënë në gjykatën e Apelit Vlorë, e cila ditën e hënë e ka shpallur të pafajshëm ish-kryebashkiakun. Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj, Petrit Aliaj dhe Iliba Bezati, ka shënuar një rekord të ri në historinë e gjyqësorit shqiptar.

Kjo pasi ka gjykuar një çështje mjaft sensitive, ku ishte përfshirë në veprimtari kriminale një ish-zyrtar i lartë i administratës shtetërore në Vlorë. Shpëtim Gjika, ish-kryebashkiaku që drejtoi Vlorën në tre mandate rradhazi, të hënën ka fituar betejën e tretë me drejtësinë shqiptare, pasi dy ditë më parë Gjika është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Vlorë. Betejën e parë Gjika e fitoi kur mori pafajësi nga gjykata e Tiranës, e cila është ripërsëritur me një pafajësi të dytë. Por teksa Gjika, rrëzonte akuzat e prokurorisë në gjykatën e Tiranës, prokuroria e Vlorës po hetonte Shpëtim Gjikën për katër akuza.