Në Maqedoni filloi faza e dytë e ndryshimeve kushtetuese. Identiteti dhe emri i shtetit si dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe, ishin tema për të cilat u debatua në ditën e parë të diskutimit.
Ndërkohë, Komisioni Parlamentar për Mandatet dhe Imunitetin vendosi t?i rekomandojë parlamentit që deputetit Nikolla Gruevski, ish-Kryeministër, t'i hiqet mandati i deputetit.
Debati për projekt-amendamentet e qeverisë për ndryshimet kushtetuese, ka ngritur një sërë kritikash, propozimesh dhe kërkesa nga deputetë të grupimeve të ndryshme politike.
Kryeministri Zoran Zaev: "I kuptojmë këto dilemat, por marrëveshja i kufizon. Nuk është e përgjegjshme të thonë se jemi maqedonas të veriut. Gjeografikisht jemi të ndarë nga rajoni Maqedoni. Ky është çmimi që duhet ta paguajmë".
Përpos sigurimeve të Kryeministrit Zaev se ka garanca se ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në fuqi atëherë kur Greqia do ta ratifikojë marrëveshjen për emrin, nga opozita dyshojnë në sinqeritetin e Athinës zyrtare.
"Greqia ende nuk na pranon, nuk pranon ekzistencën e popullit dhe gjuhës maqedonase. Ky element do të ketë ndikim anulues, do të përplasemi edhe në të ardhmen".
Nga ana tjetër, deputetët e bllokut opozitar shqiptar edhe sot kanë kërkuar që në ndryshimet kushtetuese të përfshihet zyrtarizimi i gjuhës shqipe.
Në Kuvendin e Maqedonisë ka nisur edhe procedura për heqjen e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevskit. Komisioni me shumicë votash ka miratuar vendimin për t'i propozuar Kuvendit heqjen e mandatit ish-kryeministrit Gruevski.