Xhaçka apel Bashkive: Mos neglizhoni emergjencat

2018-11-07 0

Përmbytjet apo zjarret që kanë goditur shpesh disa zona të vendit mund të ishin parandaluar nëse pushteti lokal do të kishte treguar vëmendjen e duhur. Teksa inspektoi punën për forcimin e 3.5 kilometrave argjinaturë në lumin Vjosë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u tregua e ashpër me drejtuesit vendorë që sipas saj kanë neglizhuar marrjen e masave duke kërkuar gjithmonë zgjidhjen te ushtria.

"Vërejmë një tendencë të shumë prej strukturave vendore që nuk e bëjnë siç duhet monitorimin e vazhdueshëm të territorit në juridiksionin e tyre, nuk bëjnë vlerësime të sakta për shkallën e emergjencës, si dhe nuk reagojnë në kohë me kapacitetet e tyre, por gjejnë rrugën më të shkurtër, duke thirrur për ndihmë Forcat e Armatosura.

Nuk është e drejtë dhe nuk është aspak racionale që për çdo rast, qoftë edhe për një situatë lehtësisht të menaxhueshme nga strukturat lokale, të thërriten Forcat e Armatosura. Kjo sjell një konsum të  kuptueshëm sa herë që ushtria lëviz. Të gjitha rëndojnë mbi xhepat e taksapaguesve shqiptarë".

Xhaçka kërkoi bashkëpunimin e komunitetit, prefektëve e pushtetit vendor për të parandaluar situata, që para së gjithash sipas saj kërcënojnë jetën e banorëve në zonat e prekura nga zjarret apo vërshimi i ujit.  Ajo tha se në ligjin e ri për emergjencat do të parashikohen penalitete për strukturat që nuk respektojnë detyrimet ligjore.