GJIROKASTËR- Trupi i pajetë i ekstremistit grek të vrarë në Bularat pas një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA, Konstandinos Kaçifas është kthyer në Gjirokastër.
Kanë qënë familjarët e tij, ata që kanë udhëtuar gjatë natës drejt Tiranës për të tërhequr trupin e 35-vjeçarit nga morgu i QSUT-së ku edhe ndodhej prej 11 ditësh.
Burime për Report Tv bëjnë më dije se trupi i tij mbahet në një zyrë funerale dhe po përgatitet për t?u çuar në shtëpi. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 35-vjeçari do të varroset i veshur me rroba ushtarake.
Bashkia e minoritetit grek të Dropullit në një mbledhje të jashtëzakonshme ka shprehur dëshirën për të paguar shpenzimet e varrimit të ekstremistit grek Konstandinos Kaçifas. Funerali për të do të mbahet nesër në orën 13:00 dhe do të paraprihet nga një meshë për nder të tij.
Pas firmosjes për tërheqjen e trupit të Kostandinos Kaçifas, ditën e djeshme nga Prokuroria ka reaguar për herë të parë edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Ai u ka kërkuar të gjitha palëve që trupi i Kacifas të dalë sa më shpejt nga morgu dhe të niset drejt Bularatit për t'u kryer ceremonia mortore.
U lutemi të gjitha palëve që trupi i Konstandinos Kacifas të jepet për tu varrosur sipas traditës fetare. Të gjithë shpirtrat le të gjejnë paqen. Zhurma e papërgjegjshme le të ndalet dhe ngjarjet të shqyrtohen në vazhdim me objektivitet dhe respekt të ndërsjellë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos
Trupi i pajetë i minoritarit grek ndodhej në morgun e Tiranës, pas kërkesës së familjarëve për një ekspertizë mjeko-ligjore në Tiranë, pasi nuk i besonin asaj të Gjirokastrës.
Konstantinos Kacifa u vra nga RENEA, pasi qëlloi me breshëri mbi policinë. Ai nuk pranoi të dorëzohej dhe për këtë arsye RENEA e qëlloi. Kacifa njihej si ekstremist grek dhe ishte pjesë e grupeve nacionaliste-ekstremiste greke.