?Doja që vajza të rritej me baba, por më frikësonte edhe çfarë do të thoshin njerëzit, ndaj durova?.
Është ky rrëfimi i një 25 vjeçare e cila pas 3 vitesh dhunë psikologjike dhe fizike, vendosi të denoncojë bashkëjetuesin e saj me të cilin ka dhe një fëmijë. Ana (emri jo i vërtetë i gruas) ka treguar në emisionin ?Rreze Dielli? në Report TV kalvarin e vuajtjeve deri sa mori guximin për të raportuar dhunën.
Ndryshimet e fundit ligjore që u miratuan nga parlamenti në korrik të këtij viti, kanë ashpërsuar masat kundër personave që ushtrojnë dhunë duke shkuar përtej institucionit të martesës, dhe për herë të parë përfshijnë si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift.
Pra një vajzë apo një grua mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit. Vetë Ana tregoi se kishte bërë denoncimin me frikën se nuk do ta merrnin seriozisht.
Rasti i saj por edhe të shumë njerëzve të tjerë që tashmë duhet të informohen për këto ndryshime ligjore që u japin më shumë mbrojtje, ishte pjesë e diskutimit në studion e ?Rreze Dielli? ku 2 të ftuarat Ines Leskaj, drejtore ekzekutive e AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas) dhe Voltiza Prendi, eksperte komunikimi folën pikërisht për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me mekanizmat e rinj të mbrojtjes nga dhuna.