Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka rekomanduar largimin nga detyra të drejtorit të Hetimit Tatimor në Shkodër dhe 21 inspektorëve, ndërsa 14 të tjerë janë paralajmëruar.
Gjonaj u shpreh se pas denoncimit në platformën e bashkëqeverisjes, u evidentuan një sërë shkeljesh të ndryshme të cilat lidhen me mosrespektimin e kritereve ligjore, shkelje të rregullave të inspektimit apo mangësi në plotësimin dhe mbajtjen e dokumentacionit përkatës. Sipas burimeve të Report Tv denoncimi dyshohet se ka ardhur nga një biznesmen në qytetin e Shkodrës.
Gjithashtu ministrja tha se janë proceduar edhe 4 ish-punonjës të ZVRPP Kavajë, për të cilët Gjykata e Apelit Durrës, ka dhënë masën e sigurisë ?Arrest në burg?. Ndërkohë nga ana e Policisë së Shtetit janë referuar materialet në Prokurori edhe për një ish-kryetar komune në Lezhë dhe 2 ish-komisionerë për ndarjen e tokave në Velipojë të Shkodrës për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve.
Deklarata e plotë e ministres së Drejtësisë
Strukturat Antikorrupsion nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka vijuar punën për zbatimin e planit të veprimit të miratuar nga qeveria. Në këtë kuadër Task Forca Antikorrupsion gjatë javës që kaloi ka kryer një kontroll të thelluar në Drejtorinë e Hetimit Tatimor ? Rajoni Verior Shkodër.
Një denoncim i kryer në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al ka qenë edhe në këtë rast pikënisja e këtij kontrolli të ushtruar nga Task Forca Antikorrupsion, me objekt verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor në marrjen e masave administrative ndaj subjekteve ekonomike dhe ekzekutimin e tyre.