Gjoba këmbësorëve? Shefi i Trafikut Urban, Gjoka: Ligji nuk parashikon mënyrën

2018-11-05 4

Prej disa vitesh tashmë diskutohet nëse edhe këmbësorët duhen gjobitur njësoj si drejtuesit e automjeteve kur shkelin rregullat e qarkullimit, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, ata vetë bëhen burim i aksidenteve rrugore, duke rrezikuar në radhë të parë jetën e tyre. Por një ligj i miratuar që prej vitit 1998 duket se pengon zbatimin e masave administrative edhe ndaj këmbësorëve. I ftuar sot në emisionin ?Rreze Dielli? në Report TV, Shefi i Trafikut Urban, Taulant Gjoka u shpreh se nevojitet një dispozitë ligjore që të rregullojë mënyrën e vendosjes dhe arkëtimit të gjobave ndaj këmbësorëve.

Cilido këmbësor që nuk respekton normat e sjelljes të përcaktuara në kodin rrugor ndëshkohet me një vlerë nga 500 deri në 2 mijë lekë të reja. Nuk mund të themi saktësisht që kemi marrë masa sipas kodit rrugor për kategorinë e këmbësorëve, kjo për faktin se mungon një akt normativ se si do të rregullohet mënyra e trajtimit dhe arkëtimit ndaj një këmbësori. Procesverbali i konstatimit që kemi ne sot të miratuar me ligj lidhur me përpilimin e kundravajtjeve administrative nuk parashikon rrugën se si do të arkëtohet një masë kur kalon afati i parashikuar ligjor.