Atentatorit te Lulzim Berishes i refuzohet gjykimi i shkurtuar

2018-11-05 2

Ahmet Ajetit, atentatorit të Lulzim Berishës i është refuzuar kërkesa për gjykim të shkurtuar. 35-vjeçari nga Kosova, i cili në vitin 2005 tentoi të vriste Berishën do të gjykohet me procedurë normale. Dëshmitarë në seancën e radhës janë thirrur për t'u pyetur disa emra të njohur të asaj që konsiderohet si ?Banda e Durrësit, Endrit Dokle, Adriatik Coli, Sardian Selmani dhe Lulzim Berisha. Ky i fundit në këtë seancë përfaqësohej nga avokati i tij.

Ahmet Ajeti u ekstradua në muajin Korrik nga Kosova për atentatin e organizuar 13 vite më parë në Durrës. Për këtë ngjarje ishte dënuar me 20 vite burg në mungesë. Sipas hetimeve të prokurorisë, Ahmet Ajeti dhe kosovari tjetër, Osman Karpuzi u porositën nga Adriatik Coli dhe Endrit Dokle për të eliminuar Lulzim Berishën, kreun e bandës rivale në qytetin e Durrësit.

Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej objektivi i tyre,  Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur. Në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën duke u vetëplagosur dhe duke bërë që atentati të dështojë. Në dëshminë e dhënë nga i penduari i drejtësisë Adriatik Coli gjatë procesit gjyqësor thuhet se dy kosovarët do të paguheshin 100 mijë euro për të kryer vrasjen.

Tv Klan