Report TV - Pasuria në sitë, prokuroria: Martinaj 85 mijë € prona e makina të pajustifikuara

2018-11-03 1

Krahas vrasjes së ndodhur në lokalin Monopol më 4 Tetor 2018 prokurorët janë duke e hetuar edhe transaksionet bankare dhe pronat që disponon Ervis Matinaj. Nga dosja hetimore që ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës dhe disponohet nga Report TV, thuhet se Ervis Martinaj prej vitit 2009 dhe në vijim ka blerë pasuri në vlera të konsiderueshme. Prokurorët nënvizojnë faktin se mënyra e shlyerjes është cash, burimi i te ardhurave është i papërcaktuar dhe nuk mund te justifikohet me burimet e ligjshme qe ka pasi ai nuk ka kryer deklarim të ardhurave individuale për të ardhura të realizuar mbi shumën 2.000.000 lekë.

Në dosjen hetimore thuhet se Ervis Martinaj zotëron disa shoqëri tregtare të cilat janë të gjitha pasive dhe nuk ushtrojnë aktivitet. Megjithatë prokuroria ka zbuluar se Ervis Martinaj ka disa kontrata noteriale për blerje automjete ose pasuri të paluajtshme. Janë 12 kontrata noteriale që ndodhen në dosjen hetimore përmes të cilave prokurorët mbështesin akuzën e tyre se Martinaj nuk ka pasur burime të ligjshme për këto transaksione.