Report TV - Pas dëshmisë 2 orë te Krimet e Rënda largohet babai i Kacifas

2018-11-02 0

TIRANE-Jani Kacifa, babai i ekstremistit grek, që u vra nga RENEA ditën e diel në Gjirokastër ka dëshmuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda mesditën e sotme. Ai arriti në prokurori në orën 12:00, ndërsa deklarimet para prokurorit Njazi Seferi zgjatën deri në orën 14:00. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta mëson se babai i 35-vjeçarit u ka qëndruar pretendimeve që ka bërë në media për vrasjen e të birit duke kërkuar zbardhjen e vrasjes.

Jani Kacifa udhëtoi nga Gjirokastra në Tiranë me një makinë me targa greke, i shoqëruar edhe nga një grup i medieve të vendit fqinj. Jani Kacifa është futur në ambientet e prokurorisë së bashku me një përkthyes dhe një përfaqësues ligjor të familjes.

35-vjeçari Kacifa u ekzekutua nga RENEA, pasi refuzoi që të dorëzohej, ndërsa trupi i tij ndodhet në morgun e QSUT për ekspertizë mjeko ligjore, pasi familja kundërshtoi autopsinë në Gjirokastër. Ndërkohë ditën e djeshme konsulli grek në Shqipëri, ka zhvilluar një takim tek prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet për vrasjen e ekstremistit grek në Bularat të Gjirokastrës.