Tirana është përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një nga qytetet që ka ecur më shumë në politikat për përmirësimin e ajrit, mjedisit e pastërtisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në konferencën ?Zvogëlimi i ndotjes së ajrit - përmirësimi i shëndetit të fëmijëve", organizuar në Gjenevë, ku morën pjesë ministra, kryetarë bashkish, krerë të organizatave ndërqeveritare etj, për të diskutuar mbi sfidat dhe gjetjen e zgjidhjeve për uljen e ndotjes.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me tre vite më parë, por ende mbetet shumë punë për të bërë.
Jam shumë i lumtur sa herë që Tirana përmendet për mirë dhe zë një pjesë të vëmendjes ndërkombëtare për të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur. Jam sot krenar që Tirana është përzgjedhur si një nga qytetet që ka avancuar më shumë në politikat për përmirësimin e ajrit, mjedisit, pastërtisë. Kur mendoj si e filluam tre vite më parë, nuk kishim një kompani që bënte pastrimin e qytetit, kur mendoj se nuk kishim një landfill modern, kur mendoj se si sheshi ?Skënderbej? ishte pushtuar nga makinat, Pazari i Ri me makina, Parku i Liqenit i shpartalluar, them se kemi bërë shumë punë, por ende mbetet shumë punë për të bërë.
Erion Veliaj, kreu i Bashkisë së Tiranës
Duke cituar raportin e OBSH, e cila jep alarmin se fëmijët e vegjël janë ata që e vuajnë më shumë ndotjen që vjen veçanërisht nga makinat, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të reduktojnë në maksimum lëvizjen me mjete.
Një nga gjërat më shqetësuese sot ishte raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila thotë se fëmijët, sidomos fëmijët e vegjël, janë ata që e vuajnë më shumë ndotjen e qyteteve. Ne jemi një qytet që nuk ka industri, nuk ka fabrika, nuk ka uzina, nuk ka oxhaqe, por ka shumë makina. Nga ky raport dalim në përfundimin se reduktimi i përdorimit të makinës për distancat e shkurtra, për të shkuar nga kafja në kafe ose nga shtëpia te furra e bukës, kur fare mirë mund të ecet në këmbë ose me biçikletë, rrit ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe cilësinë e jetesës në Tiranë.