Report TV - Halloween në Shqipëri, studiuesi Eno Barjami: Është komercializëm, ne kemi festat tona

2018-10-31 2

Përse festa e Halloween ka gjetur kaq shumë përhapje edhe në Shqipëri? Është kjo pyetja që u shtrua sot në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, ku studiuesi Eno Barjami dha detaje interesante mbi historikun e kësaj feste që daton që në mesjetë nga kultura kelte. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë nevojë të adaptojnë festa që vijnë nga kultura të tjera pasi kanë festa që kanë një lidhje me të fortë me traditat tonë, qofshin edhe festa pagane siç është Dita e Verës.

Shqiptarët kanë Ditën e Verës, me rrënjë pagane, që në periudhën ilire siç supozohet. Në këtë ditë, nuk bekohen të vdekurit, por natyra, dielli, lulet, ndizen zjarre, kemi ballokumen, lojëra të ndryshme apo gara që po të organizohen bëhen aktivitete edhe më masive. Fatmirësisht çdo trevë e Shqipërisë ka lojërat e veta lokale. Pra Halloween është komercializëm. Kjo festë daton në shekullin e 18-19 kur irlandezët emigruan në SHBA, dhe sot është bërë mjaft masive. Ka një konsum të jashtëzakonshëm, por është padyshim një industri. Është festë por që është shndërruar ndër shekuj, në një pëzierje gjërash për tu argëtuar duke trilluar me frikën sepse frika shkakton shumë emocion.

Eno Barjami, studiues
Pyetjes se përse festa e Halloween ka gjetur kaq shumë përhapje edhte tek shqiptarët, studiuesi Barjami e argumentoi me faktin se shumë aspekte që vijnë nga kulturat e huaja, veçanërisht ato perëndimore pëlqehen më shumë për shkak edhe të izolimit të gjatë që ka përjetuar gjatë komunizmit.

Shqipëria një vend në izolim për disa dekada, kështuqë pas viteve 90 çdo gjë që vinte nga jashtë, ishte më mirë se ajo çka është pjesë e jona, është një lloj kompleksi që kërkon njohuri e informacion dhe kërkon kohë. Kështuqë festa është adaptuar dhe komercializuar në këto nivele që ne e shohim sot.