GJIROKASTËR- Një sasi prej 4 kilogramë kokainë është kapur në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër.
Kokaina është zbuluar në një makinë Mercedes Benz, me ngjyrë të zezë që drejtohej nga një 46-vjeçar, i identifikuar si Selim Lazaj, banues në Patos të Fierit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Kakavije
Goditet një tjetër tentativë për trafik të lëndë narkotike të forta.
Sekuestrohet 3 kilogramë e 545 gramë lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike.
Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafiqeve te paligjshme në fushën e krimeve ndërkufitare, nga ana e punonjësve të Policisë Kufitare Kakavije, u përzgjodh për kontroll të detajuar në vijën e dytë automjeti i markës ?Mercedes Benz?, me targa AA216TF, me drejtues shtetasin Selim Lazaj, vjeç 46, banues në Patos, Fier.
Gjatë kontrollit të detajuar në bashkëpunim me shërbimet doganore, duke përdorur edhe skanerin, u konstatua se në baterinë e automjetit, gjendeshin të fshehura dy pako të mbështjella me natriban të dyshuara me lëndë narkotike të llojit Kokainë.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër.
Nga peshimi i pakove rezultoi se brenda tyre kishte një sasi prej 3 kilogramë e 545 gramë lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale ?Trafikimi i narkotikëve?.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Neni 283/a i Kodit Penal.