Grupi Habilaj/ Saimir Tahiri dorëzon në prokurori vendimin e mbylljes së çështjes në Itali

2018-10-29 0

TIRANE-Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka depozituar mesditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda vendimin e gjykatës italiane të Catania-për mbylljen e çështjes në ngarkim të tij me akuzën e trafikut të drogës. Report Tv siguron vendimin e gjykatës italiane të Catania-s për mbylljen e çështjes.

Vendimi tregon që Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor të vitit të kaluar nga prokuroria e Catania-s me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj. Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për ti dhënë një personi me emrin SAIMIR dhe bizhuteri gruas së tij.

Pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane shkruan se nuk ka gjetur prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar të Brendshëm duke kërkuar arkivimin ose mbylljen e çështjes. Vendimi është marrë nga Gjykata e Hetimeve Paraprake në datë 2 tetor, ndërsa çështja në ngarkim të Habiljave vijon në Catania, pasi hetimi për Tahirin ishte i veçuar.