Report Tv-Pedofili italian abuzoi seksualisht edhe me dy fëmijë shqiptarë, dëshmitë tronditëse

2018-10-29 0

Masimilliano Croce, pedofili italian që u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Shtetit ka abuzuar seksualisht edhe me dy fëmijë shqiptarë. Ky fakt tronditës është bërë publik nga dy fëmijët e një gruaje, me të cilët 45-vjeccari italian bashkëjetonte në periferi të Tiranës.

Burime nga policia dhe prokuroria thanë për Report TV se kanë dëshmitë e dy fëmijëve, një vajzë 14 vjeçe dhe të një djali 13 vjeç të cilët akuzojnë Masimilliano Crocen për abuzime seksuale. Dy fëmijët kanë rrëfyer pranë prokurorisë, në prani edhe të një psikologu se 45-vjeçari që bashkëjetonte me mamanë e tyre i ka ngacmuar shpesh, madje edhe ka abuzuar me ta.

Pedofili italian kishte 3 vite që bashkëjetonte me një grua shqiptare në Tiranë. E marrë në pyetje nga Prokuroria nëna e dy fëmijëve ka thënë se nuk e dinte që bashkëjetuesi i saj ka abuzuar seksualisht me fëmijët. Ajo është shprehur se Italiani i ndihmonte me para, pasi nuk kishin të ardhura, kjo është edhe arsyeja se pse e pranoi të jetonte me të. Madje gruaja e tronditur ka theksuar se nuk ishte ne dijeni që Masimilliano Croce ishte i dënuar në Itali për pedofili.

Pikërisht këto denoncime ka bërë që Masimilliano Croce të mos ekstradohet në Itali, ku ka një dënim me 16 vite burg për abuzime seksuale me fëmijët, por tashmë do të përballet fillimisht me drejtësinë shqiptare. Masimilliano Croce u arrestua pasi drejtësia italiane vuri në dijeni autoritetet shqiptare se ai fshihej në Tiranë. Masimilliano Croce ka kryer edhe një doktoraturë për rastet e pedofilisë online, por ka abuzuar me fëmijët fillimisht në disa fshatra të Romës dhe më pas në Tiranë.