Buxheti i vitit 2019 do të kalojë për herë të parë vlerën e 5 miliardë dollarëve. Televizioni Klan ka mësuar se vitin e ardhshëm buxheti do të arrijë në 5.19 miliardë dollarë, 223 milionë dollarë më shumë se sa këtë vit.
Qeveria parashikon të arkëtojë nga taksat 4.86 miliardë dollarë, të ardhura të cilat do të vijnë në buxhet nga lufta kundër informalitetit dhe jo nga rritja e taksave.
Për vitin e ardhshëm parashikohet të vijnë më shumë të ardhura nga tatimi i dividentit dhe nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, por buxhetit do t?i mungojnë 50 milionë dollarë të ardhura nga lojërat e fatit.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të rrisë vlerën e lejuar të projekteve koncesionare mbi të cilat do të implikohet buxheti, nga 40% të prodhimit kombëtar që ishte këtë vit në 46% të për vitin e ardhshëm.
Mësohet se shkak për rritjen e tavanit për kontratat me PPP është janë bërë detyrimet shtesë përtej parashikimit për koncesionet në shëndetësi dhe 2 koncesione të reja që do të jepen për rrugën Kashar-Rrogozhinë dhe aeroportin e Vlorës.
Niveli i deficiti parashikohet të jetë 1.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose 329 milion dollarë, ndërsa borxhi do të zbresë në 64.9%.
Tv Klan