Ministri i ri i Brendshëm, Gjeneral Sandër Lleshi, i cili pason në këtë detyrë Fatmir Xhafajn pas dorëheqjes, ka një karrierë të pasur si pjesë e Forcave të Armatosura. Emri i Gjeneralit doli në skenë në vitin 2012 kur ai u përplas me ish-ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Arben Imami dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Përplasje e cila solli shkarkimin e Gjeneralit nga pozicioni i zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me propozim të Imamit dhe dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Por në krah të Sandër Lleshit do dilte opozita e asaj kohe e cila do të akuzonte ish-ministrin Imami për paaftësi në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Ndërsa në vitin 2013, kryeministri Edi Rama e bën pjesë të kabinetit të tij, duke e emëruar këshilltar për Sigurinë. Në një koment për mediat, Rama do të deklaronte se për herë të parë emrin e Sandër Lleshit e kishte dëgjuar nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili ia kishte propozuar për President të Republikës.