Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përcjellë sot mesazhe të forta për Vettingun në drejtësi, por edhe politikanët e korruptuar, duke paralajmëruar fundin e tyre të shpejtë. Zëvendësambasadori në detyrë, Daniel Koski, ka deklaruar prerë se SHBA do të vazhdojë të mbrojë shtetin ligjor në mënyrë të pathyeshme, duke shtuar se do të qëndrojë bindshëm kundër zyrtarëve të korruptuar, që përdorin postet e tyre për përfitime vetjake.
Zv/ambasadori amerikan iu referua rastit të gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili në prag të nënshtrimit të procesit të Vettingut, mori nga KLD leje prindërore 2-vjeçare për të qenë pranë bashkëshortes së tij në Gjermani. I pranishëm në një ceremoni në Universitetin e Drejtësisë, zv.ambasadori u shpreh qartë se leja e marrë nga gjyqtari i Apelit të Tiranës nuk duhet ta shpëtojë atë nga Vettingu.