Kryetari i PD, Lulzim Basha përsëriti sot kërkesën për zgjedhje të parakohshme, por sipas tij më parë duhet të zgjidhet problemi i krimit elektoral, që sipas tij arrihet me dy nismat; ndarje e politikës nga krimi dhe dekriminalizimit të zgjedhjeve. Lideri i PD u shpreh se Rama erdhi në pushtet me ndihmën e votave të krimit.
Ai deklaroi se grupet kriminale që u goditën pak ditë më parë në Shijak, Durrës, Lezhë, por edhe të tjerë i siguruan Ramës 10-15 mandate në zgjedhje dhe kjo sipas tij shpjegon ?kapjen e drejtësisë dhe emërimin e Arta Markut për të shkatërruar hetimin dhe transferimin e prokurorëve?. Basha iu rikthye edhe njëherë akuzave për Dakon, ndërsa shtroi pyetjen për prokurorinë se përse e ka kyçur fletëarrestin, pasi sipas tij në dosje ka prova që e përfshijnë.
Në Shqipëri nuk do ketë luftë kundër krimit dhe drejtësi nëse nuk do të dënohen krimet elektorale të Edi Ramës. Kjo gjendje është provë e domosdoshmërisë të ndarjes së politikës nga krimi dhe dekriminalizimit të zgjedhjeve: të cilat janë prioritete absolute të Partisë Demokratike. Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës. Ajo që është e vërtetë është po ashtu se 2017 ishte përsëritje në përmasa edhe më të mëdha e 2013-s. PD është e gatshme bashkë me aleatët të përballet dhe të fitojë. Por tema është çfarë duhet të bëjmë për të rikthyer zgjedhjet e lira.
Lulzim Basha
Lulzim Basha nuk la pa komentuar edhe çështjen e Teatrit Kombëtar, teksa sot pritet që shumica të rrëzojë dekretin e Presidentit Meta duke i hapur rrugën ngritjes së godinës së re.
Unë, PD dhe opozita e konsiderojmë këtë ligj jo vetëm antikushtetues, por grabitje të pronës dhe pastrim pasash nga kriminelët. Përballë kanë dhe do të kenë të gjithë njerëzit. Për një person të vetëm bëhet një ligj special, në mungesë të gjykatës Kushtetuese. Bëni një hetim për këtë. Do të kundërshtojmë me të gjitha format dhe mënyrat, teatri është vija e kuqe.