Report TV - Ishin kthyer në makth, kapen 4 të rinjtë nga Vlora që grabisin banesat në Fier

2018-10-24 1

FIER-Policia ka arrestuar katër persona për vjedhje banesash. Ata janë; Emanuel Doda 23 vjeç, Lediona Preçi, 21 vjeçe, Bledar Skënderaj 24 vjeç dhe Klaustin Zeneli 22 vjeç të gjithë banues në Vlorë.

Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kryenin vjedhje banesash me thyerje në qytetin e Fierit, duke thyer bravat e dyerve të banesave që vidhnin.

Konkretisht, gjatë orëve të natës së datës 23.10.2018 këta shtetas janë kapur me sende të vjedhura në banesat e shtetasve P.Th dhe O.T në lagjen "15 Tetori" Fier .

Po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera të mëparshme në qytetin e Fierit ku dyshohen se autorë janë këta shtetas.

Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se kanë kryer vjedhje banesash edhe ne qytetin e Vlorës për dokumentimin e të cilave po punohet me Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprën penale "Vjedhje" e kryer në bashkëpunim parashikuar nga Nenet 134/2 e 25 të Kodit Penal .