TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur masën "arrest shtëpie" për Redi Popeskun, pronarin e lokalit në ish-Bllok, ku edhe ndodhi shkëmbimi i zjarreve më 4 tetor. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias për shkak të sekretit hetimor.
Popesku u arrestua dy ditë më parë në lokalin e tij, me kërkesë të Prokurorisë pasi akuzohet se ai ka gënjyer në dëshminë e tij, por edhe se ka fshehur një pistoletë duke e larguar nga atë nga vendngjarja.
Pas seancës, avokati i Popeskut u shpreh se klienti i tij nuk kishte fshehur asnjë provë pasi policia kur bëri kontrolle nuk gjeti armën, por jo që s?u dorëzua.
Vendimi i Gjykatës nuk ishte i drejtë. Prokurorët mund ta kishin zgjidhur me urdhër ndalimi dhe jo me arrest në flagrancë. Ndaj tij nuk mund të vendoset një masë e tillë pasi ai nuk mund të pengojë të vërtetën. Janë marrë gëzhojat nga vendngjarja dhe janë çuar për ekspertizë. Pra asnjë veprim që ai mund të kryejë nuk e pengon të vërtetën. Ai nuk ka fshehur asnjë armë. Ai ka leje për një pistoletë dhe disa armë të tjera mes tyre edhe një çifte. Deri më sot arma nuk është dorëzuar. Nëse kërkohet arma do të merret dhe me të do të eksperimentohet për të parë nëse në vendngjarje janë përdorur të njëjtat gëzhoja.
Adrian Leka, avokati i Redi Popeskut
Për përplasjen me armë në ish-Bllok, policia deri më tani ka arrestuar Ervis Martinajn, Geldo Hotin dhe Eljon Haton, ndërkohë që në kërkim mbeten komando Mervjol Bilo, Ervin Mata dhe Fabjol Alushi.
Ngjarja
Më 4 tetor në një lokal në zonën e ish-Bllokut ka ndodhur një shkëmbim zjarresh ku Fabiol Gaxha ka humbur jetën, ndërsa Ervis Martinaj dhe Elion Hato janë plagosur. Të përfshirë në ngjarja kanë qënë edhe Redi Popesku, Mervjol Bilo, Ervin Mata, Elvana Gjata dhe Fabjol Alushin.
Ndërkohë, të përfshirë në këtë ngjarje ishin edhe Redi Poposku, pronar i lokalit ku ndodhi vrasja në Bllok, komandoja Mervjol Bilo, Ervin Mata, Fabjol Alushin si dhe këngëtarja e njohur Elvana Gjata.